Komuna e Prishtinës sot merr masat e para parandaluese për koronavirusin

Prej sot Komuna e Prishtinës do të fillojë masat e para parandaluese për koronavirusin. Për shkak të rrezikut më të lartë nga virusi për të moshuarit, sot do të mbyllen përkohësisht Qendrat Sociale për të Moshuarit në kryeqytet.

Po ashtu, është njoftuar se do të bëhet dezinfektimi i të gjithë autobusëve të Trafikut Urban.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se së bashku me ekipet punuese gjatë këtyre ditëve do të shqyrtojnë edhe aplikimin e masave të tjera parandaluese.

Edhe Qeveria e Kosovës të martën e ka miratuar planin për reagim lidhur me koronavirusin, ku përfshihet një buxhet prej 10 milionë eurosh, për t’i pajisur të gjitha institucionet shëndetësore, emergjencat si dhe për adaptimin e objekteve për të trajtuar rastet që mund të paraqiten.

Ndryshe, një ditë më parë infektologu Valbon Krasniqi ka folur për situatën në Kosovë sa i përket përgatitjeve për t’u përballë me koronavirusin.

Krasniqi ka thënë se nuk është më befasi nëse koronavirusi vjen edhe në Kosovë, pasi sipas tij, ai nuk mund të ndalohet pasi përhapet përmes ajrit.

“Gjasat janë shumë të lehta që edhe në Kosovë në një të ardhme shumë të afërt të kemi raste me koronavirus”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Infektologu ka thënë se e mira do të ishte që personat e prekur të identifikoheshin më herët për t’u izoluar më pas në mënyrë që të mos përhapet te njerëzit e tjerë.

Ai ka thënë se është mirë që të shmangen grumbullimet masive, siç ndodh në ndeshjet sportive.

Krasniqi thotë se familja e koronavirusëve që i përket edhe COVID-19, nuk i kanë të preferuara temperaturat e larta.

Infektologu thotë se nga Kina ka raportime që numri i të prekurve më këtë virus është në rënie e sipër si rrjedhojë e vetëdijesimit të qytetarëve për mirëmbajtjen e higjienës personale.

Sa i përket moshave, ai thotë se gjasat i kanë të njëjta të gjithë personat për t’u prekur por shton se personat që gëzojnë shëndet të plotë dhe janë më të ri në moshë e kalojnë me një lehtësi më të madhe ndërsa moshat e treta janë të rrezikuara.

Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se në Kosovë ende nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus. /Telegrafi/