Konfirmohet interesimi i Barcelonës dhe Bayernit për yllin e Ajaxit

Barcelona dhe Bayern Munichu janë interesuar për transferimin e mbrojtësit anësor të Ajaxit, Sergino Dest, gjatë kësaj vere. Lajmin e ka konfirmuar agjenti i futbollistit.

19-vjeçari e ka shijuar një sezon mbresëlënës me gjigantin holandez, pasi u promovua në ekipin e parë nga ekipi i të rinjve i klubit, transmeton Gazeta Express.

Ai i bëri 35 paraqitje në të gjitha garat për skuadrën seniore të Erik Ten Hag, para se sezoni i Eredivisie të përfundohej para kohe muajin e kaluar, shkaku i përhapjes së madhe të virusit Covid-19.

Paraqitjet e tij mbresëlënëse bënë që ai ta fitonte çmimin Marco van Basten për talentin e ri të vitit në Ajax.

Mbrojtësi i krahut të djathtë gjithashtu debutoi për ekipin kombëtar të SHBA-së në shtator, kur luajti në ndeshjet miqësore kundër Meksikës dhe Uruguait, pasi kishte shkëlqyer për ekipin U20 në Kupën e Botës gjatë verës.

Paraqitjet e tij për klubin dhe ekipin kombëtar kanë bërë që ai të ngjallë interesim nga klube të mëdha evropiane, gjë që e ka konfirmuar agjenti dhe avokati i futbollistit, Jose Blackborn.

“Interesimi nga Barcelona nuk është ende konkret. Ata nuk na kanë raportuar ende zyrtarisht, as mua e as Ajaxit. Megjithatë, na janë dhënë informata në të kaluarën. Sergino është njëri ndër mbrojtësit anësor në Evropë që ata po e ndjekin. Ai është një opsion nëse Nelson Semedo largohet, por Sergino është opsion për më shumë klube”, ka thënë Blackborn.

“Bayern Munichu ende dëshiron ta marrë Serginon nga Ajaxit, por për momentin dy palët janë ende larg arritjes së një marrëveshjeje. Nuk mund të bëjmë asgjë për momentin”.