Korridori i evakuimit të Mariupolit do të jetë funksional gjatës së hënës

Një korridor për evakuim nga qyteti i rrethuar i Ukrainës, Mariupol, do të jetë funksional të hënë (sot), pavarësisht vonesave dhe vështirësive për ta mbajtur hapur rrugën për largim nga kjo zonë, ka thënë zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk.

Duke mos bërë të ditur kohën se kur do të hapet ky korridor humanitar, zëvendëskryeministrja ukrainase ka njoftuar se rruga do të jetë funksionale për transportin privat.

“Rruga do të funksionojë për transportin privat. 15 autobusë evakuimi janë nisur tashmë nga Zaporizhzhia për në Mariupol”, ka thënë ajo, raportoi CNN-i të hënën.

Vereshchuk ka bërë të ditur se të dielën, shtatë autobusë të shoqëruar nga një delegacion i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq kanë arritur në Manhush, në rajonin e Donetskut. Sipas saj, delegacioni i KNKK-së po planifikon të lëvizë nga Manhushi në Mariupol.

Nëse autobusët e shoqëruar nga ky komitet arrijnë në Mariupol, do të jetë rasti i parë i evakuimit që është organizuar me këtë lloj transporti nga qyteti më i shkatërruar ukrainas si pasojë e luftës së nisur më 24 shkurt.

Mariupol është përballur për javë të tëra me bombardime nga forcat ruse, ndërsa evakuimi i sigurt i banorëve ka qenë i vështirë.