Kosova importoi mbi 61 milionë euro naftë për dy muaj, mbi 59 milionë euro të hyra nga akciza dhe TVSH

Kosova ka importuar mbi 61 milionë euro naftë gjatë muajve janar dhe shkurt të vitit 2026, ndërsa nga kjo sasi shteti ka arkëtuar dhjetëra milionë euro përmes akcizës dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

Sipas të dhënave të deklaruara në Doganën e Kosovës, për një periudhë prej 59 ditësh janë importuar gjithsej 97,936,389 litra naftë, me vlerë të përgjithshme prej 61,391,073.08 euro.

Nga kjo sasi, të hyrat buxhetore nga akciza kanë arritur në 41,363,576.37 euro, ndërsa nga TVSH-ja janë inkasuar edhe 18,336,961.53 euro shtesë. Në total, vetëm nga importi i naftës gjatë dy muajve të parë të vitit, buxheti i shtetit ka përfituar mbi 59 milionë euro përmes këtyre dy kategorive tatimore.

Njohës të çështjeve ekonomike theksojnë se niveli i lartë i arkëtimeve nga derivatet e naftës ndikon drejtpërdrejt në të hyrat buxhetore, pasi çdo rritje e çmimit të naftës rrit automatikisht edhe vlerën e TVSH-së që paguhet mbi produktin. Sipas tyre, TVSH-ja përfundimisht paguhet nga konsumatori final, pra qytetarët, pasi ajo përfshihet në çmimin përfundimtar të karburantit në treg.

Ndërkohë, zhvillimet në tregjet ndërkombëtare po krijojnë pasiguri për çmimet në ditët në vijim. Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka paralajmëruar për paqartësi të mëdha sa i përket lëvizjes së çmimeve të derivateve.

Sipas Berjanit, aktualisht karburanti në pikat e shitjes me pakicë në Kosovë po tregtohet me këto çmime:

Dizelli: 1.70 € deri në 1.78 € për litër

Benzina: 1.30 € deri në 1.42 € për litër

“Nuk po mund t’i parashikoj çmimet që do të kemi në ditët në vijim, sepse ka lëvizje të mëdha në bursa dhe në tregjet ndërkombëtare,” deklaroi Berjani, duke shtuar se çmimi furnizues i ditës së premte ka arritur në 1.74 euro.

Debati mbi çmimet e derivateve dhe politikat fiskale lidhur me to vazhdon të mbetet aktual, sidomos në periudha të rritjes së çmimeve në tregjet globale të energjisë, ku çdo ndryshim reflektohet drejtpërdrejt në tregun vendor dhe në koston që paguajnë qytetarët.