Kosova ngritet për pesë vende në raportin “Gazetarët pa Kufij”

Organizata “Reporterët pa Kufij” ka bërë të ditur se Kosova ka shënuar ngritje për pesë vende në renditje që nga publikimi i vitit të kaluar.

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, këtë të mërkurë, u bë publik edhe Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit i organizatës Gazetarët Pa Kufij.

Në indeksin që përfshin 180 vende, Kosova radhitet në vendin e 56-të – një rritje prej 5 vendesh në krahasim me vitin e kaluar, kur radhitej në vendin e 61-të.

Megjithatë, Kosova sërish radhitet në mesin e vendeve problematike.

Në publikim thuhet se pavarësisht ndarjes përgjatë vijave etnike, Kosova ka një treg mediatik pluralist dhe të gjallë.

Teksa në konteksti politik edhe nëse media arrin t’i mbajë politikanët përgjegjës, gazetarët mbeten objektiv i sulmeve politike. Rregullatori i mediave, KPM, ka qenë joefektiv dhe së fundmi është përfshirë në një rast korrupsioni.

“Pavarësia e transmetuesit publik RTK është vënë në pikëpyetje për shkak të zgjedhjes si drejtor i përgjithshëm i një aleati të partisë në pushtet. Mediat në gjuhën serbe janë ankuar për diskriminim në qasjen në informacione publike, veçanërisht në gjuhën e pakicës kushtetuese” thuhet në raport.

Kujtojmë se Norvegjia për të shtatin vit me radhë renditet e para teksa tri vendet e fundit, me gjendjen më të keqe të shtypit në botë, janë në Azi: Vietnami, Kina dhe Koreja e Veriut.