KOSTT: Nëse kthehen tarifat e lira do të kthehen reduktimet

Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu (KOSTT) ka thënë se do të rrezikohet siguria e furnizimit me energji elektrike dhe do të ketë kthim të reduktimeve, në rast se në vend kthehen tarifat e lira të energjisë.

Të enjten, Gjykata e Apelit vërtetoi masën e pezullimit ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vënien e tarifave të reja, më të shtrenjta, të energjisë elektrike. Të menjëhershme kanë qenë kërkesat e partive opozitare që qytetarëve t’u kthehen mjetet që kanë shpenzuar në kuadër të tarifave të reja.

Megjithatë, sipas KOSTT-it, një kthim i tarifave të mëhershme do të kishte pasoja për Kosovën.

Shtrenjtimin e energjisë, KOSTT-i e ka ndërlidhur me krizën botërore, shtrenjtimin e madh të energjisë dhe rritjen e kërkesës për import. Ka thënë se si pasojë e mosmbulimit të kostove, më herët ka pasur devijime të theksuara ndaj sistemit evropian elektroenergjetik.

KOSTT-i ka thënë se nëse nuk ndërmerren masa të shpejta për të adresuar çështjen e kostove do të ketë rrezikim të furnizimit me energji elektrike dhe do të kthehen reduktimet e energjisë.

“KOSTT ngre zërin për pamundësinë e mbulimit të kostove të shkaktuara dhe atyre që pritet të ndodhin në qoftë se nuk ndërmerren masa të shpejta për të adresuar çështjen e kostove të sektorit qoftë përmes rritjes se tarifave apo subvencionimit. Nëse nuk ndodhin këto veprime atëherë do të rrezikohet siguria e furnizimit me energji elektrike në vend, do të aplikohet masa për reduktimin e konsumit si dhe rrezikohet seriozisht Marrëveshja e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E”, thuhet në reagim. “Kërkesat që tarifa e energjisë të kthehet në vlerën e mëhershme e rrezikon sigurinë e operimit të sistemit, dëmton Marrëveshjen e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E, marrëveshjet e tjera me institucionet ndërkombëtare si dhe arritjet e KOSTT në pavarësimin e operimit të Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës. Rritja e çmimit të energjisë elektrike është pasojë e krizës globale të energjisë dhe ka prekur të gjitha vendet Evropiane, prandaj është i domosdoshëm reflektimi i kësaj kosto-je në të hyra shtesë”.