KOSTT reagon pas raportimeve për tregun e energjisë: Dokumenti është material pune, jo raport për manipulim

Pas raportimeve të shumta në mediat kosovare gjatë ditës së sotme lidhur me një dokument që lidhet me tregun e energjisë elektrike, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka dalë me një sqarim zyrtar për opinionin publik.

Në reagimin e tij, KOSTT ka bërë të ditur se dokumenti i përmendur në media nuk është raport përfundimtar dhe as dokument që konstaton manipulim të çmimeve apo të tregut të energjisë. Sipas KOSTT-it, bëhet fjalë për një dokument pune të hartuar brenda mandatit të institucionit, me qëllim që të mbështesë Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në ushtrimin e përgjegjësive të saj ligjore.

KOSTT thekson se dokumenti ka karakter informues dhe përmban të dhëna dhe tregues relevantë për periudhën e analizuar, duke përshkruar funksionimin e tregut të shfrytëzimit të kapaciteteve ndërkufitare dhe sjelljen e palëve tregtare. Megjithatë, në të nuk nxirren përfundime që lidhen me manipulimin e çmimeve apo të tregut, siç është raportuar në disa media.

“Duke pasur parasysh interpretimet e ndryshme të përmbajtjes së këtij materiali në media, e konsiderojmë të domosdoshme të sqarojmë natyrën e tij, me qëllim të informimit të saktë dhe të drejtë të opinionit publik”, thuhet në njoftimin e KOSTT-it.

Tutje, KOSTT ka bërë të ditur se i ka vënë në dispozicion ZRRE-së të gjitha informatat dhe të dhënat relevante për t’i shërbyer procesit të vlerësimit dhe hetimit, duke theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet kompetente.

Institucioni ka ritheksuar përkushtimin për ruajtjen e standardeve më të larta të transparencës dhe integritetit të tregut të energjisë, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike.