KQZ certifikon rezultatet për kryetar në Ferizaj, Shtime e Podujevë – në Kllokot mbeten ende pa u certifikuar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka certifikuar sot rezultatet përfundimtare edhe për tri prej katër komunave të cilat nuk u certifikuan në mbledhjen e kaluar për shkak të ankesave që ishin drejtuar në PZAP.

Komunat në të cilat u certifikuan rezultatet janë Podujeva, Shtimja e Ferizaj, kurse për rezultatet në Kllokot, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se duhet të presin ende.

“KQZ tani mund të bëjë certifikimin e rezultateve për Ferizajn, Shtime, Podujevë ndërkaq për Kllokot do të presim konfirmim zyrtar se a ka përfunduar shqyrtimi i ankesës në Gjykatën Supreme”, tha Radoniqi.

Sipas rezultateve në Ferizaj, fitues ka dalë Agim Aliu i PDK-së me 62.38 për qind të votave.

Në Shtime në balotazh garojnë Qemajl Aliu i LVV-së me 45.29 për qind të votave dhe Naim Ismajli i PDK-së me 44.54 për qind të votave.

Kurse komuna e Podujevës shkon në balotazh ndërmjet Ekrem Hysenit të LDK-së me 44.20 për qind të votave dhe Shpejtim Bulliqit të LVV-së me 44.16 për qind të votave.