Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Memli Krasniqi, ka raportuar një rritje të konsiderueshme të vlerës së kriptovalutave që posedon, sipas deklarimit të pasurisë së dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK).
Krasniqi kishte investuar gjithsej 841.23 euro në kriptovaluta që nga viti 2016, ndërsa sot ato kanë arritur vlerën 78,773.02 euro.
Ai ka deklaruar posedimin e 146,772 kriptovalutave, të ndara në 25 lloje të ndryshme, përfshirë: Bitcoin, Ether, Binance Coin, Cake, Ripple, Internet Computer dhe të tjera.
Ndër investimet më të mëdha janë:
2 Bitcoin, të blera më 24 qershor 2016 për 570 euro, në kohën e deklarimit të pasurisë janë vlerësuar 76,150 euro, tani një bitcoin, ka vlerën 91.600 euro.
10 Ether, të blera po atë ditë për 12 euro, tani vlejnë 1,690 euro.
200 Binance Coin, të blera më 15 janar 2018 për 20 euro, sot kanë vlerën 555 euro.
20 Monero, të blera më 20 qershor 2017 për 41 euro, tani vlejnë 198 euro.
Investimi i fundit është bërë më 8 gusht 2024, kur Krasniqi bleu 5,000 Cardano për 0.34 euro, të cilat tani vlejnë vetëm 0.65 euro.
Pasuria e paluajtshme dhe financat personale
Krasniqi ka deklaruar gjithashtu:
Një banesë prej 110 m² me vlerë 120,000 euro, të përfituar me ndërrim nga një apartament paraprak.
Një shtëpi prej 202 m² me vlerë 180,000 euro, në pronësi të përbashkët, të përfituar me kredi, kursime dhe kontribut familjar.
Në llogaritë rrjedhëse, Krasniqi ka deklaruar:
3,194 euro në pronësi të tij
32,092.68 euro në pronësi të bashkëshortes.
Të ardhurat dhe kreditë
Të ardhurat vjetore të deklaruara për vitin e fundit janë:
20,091.21 euro nga pagat neto të Krasniqit si deputet në Kuvendin e Kosovës.
13,935.05 euro nga pagat neto të bashkëshortes në Institutin Albanologjik të Kosovës.
2,108 euro nga punët me kontratë të bashkëshortes në Shtëpinë Botuese “Albas”.
Krasniqi ka deklaruar dy kredi aktive:
65,000 euro për blerjen e shtëpisë (2018–2025)
30,000 euro për renovimin e shtëpisë (2020–2025)
Po ashtu, ai ka deklaruar 4,150 euro si huazim i përkohshëm familjar në emër të bashkëshortes.
Të pasuritë e luajtshme
Në pasurinë e luajtshme përfshihen:
Bibliotekë me vlerë 15,000 euro (pronësi e përbashkët)
Vepra arti në vlerë 9,000 euro (pronësi e përbashkët)
Vetura në vlerë 20,000 euro (në pronësi të bashkëshortes), etj.



