Ish-kryetari i PDK-së, pas dështimit të formimit të Qeverisë Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, e ka akuzuar këtë parti për dështimet e njëpasnjëshme.
Ai tha se mentaliteti i Albin Kurtit e ka sjellë Kosovën në këtë situatë, prandaj presidentja e vendit duhet sa më shpejt ta shpallë datën e zgjedhjeve, raporton Klankosova.tv
“Shpreh keqardhjen time, që ato që i kemi paralajmëruar shumë herët, sot dolën të vërteta. Kanë kaluar mbi 9 muaj që kur qytetarët e Kosovës kanë folur me votën e tyre dhe i patën thënë një JO të madhe, të ashtuquajturës referendum të Albin Kurtit, e po ashtu duke i thënë JO mentalitetit të qeverisjes njëpartiake.
Kam thënë ky ngërç do të vazhdojë nëse Kurti nuk tërhiqet. Kam kërkuar që zgjedhjet të mbahen më herët, që qytetarët ta thonë fjalën e tyre. Mentaliteti i bllokues i Kurtit dhe VV-së e ka sjellë Kosovën në këtë situatë, bllokadë pas bllokade. Presidentja e Republikës e ka obligim që sa më parë ta shpallë datën e zgjedhjeve,” tha Krasniqi.