Sunny Hill Festival

Krasniqi: Sot me vetëdije u shkel Kushtetua, pa u trembur qerpiku

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, pas dështimit të seancës konstituive, ka akuzuar shumicën parlamentare për shkelje të qëllimshme të Kushtetutës, raporton EO.

Ai paralajmëroi se partia e tij do të shqyrtojë mundësinë e adresimit të kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas tij, qytetarët që kanë ndjekur seancën janë bërë dëshmitarë të një abuzimi të hapur me rendin kushtetues dhe përpjekjes për ta ndryshuar atë në mënyrë arbitrare, përkundër një aktgjykimi të qartë të Gjykatës Kushtetuese.

“Sot çdo qytetar që na ka përcjellur janë bërë dëshmitarë të abuzimit dhe shkeljes kushtetuese me qëllim dhe vetëdije nga ana e Albin Kurti dhe të deputetëve të VV-së. Nuk është situata e njëjtë si para aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse ka një qartësi, ai aktgjykim është i qartë që nuk mund të ndryshohet rendi i ditës, aq më pak në mënyrë arbitrare. Insistimi i njëjtë sot, sikur se në seancat e kaluara, për Kurtin dhe VV-në, as Gjykata Kushtetuese, as aktgjykimi i saj nuk kanë kurrfarë vlere. Kjo qasje e ka karakterizuar krejt qeverisjen e VV-së dhe të Kurtit, që është e papranueshme, është sulm kundër demokracisë”.