Kreu i PDK-së takon Kosnett: Bashkërendimi i Kosovës me SHBA është vital dhe i pazëvendësueshëm

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pritur sot në takim ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ku kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe popujve dhe për rolin e PDK-së si opozitës në Kosovë.

I shoqëruar nga Vlora Çitaku, kreu i PDK ka thënë gjatë takimit me diplomatin amerikan se për PDK-në, bashkërendimi me Washingtonin për çështje të interesit strategjik është vital dhe i pazëvendësueshëm. Lideri i opozitës ka shkruar në faqen e tij në Facebook se lidhja ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e shenjtë dhe e pathyeshme.

” Në takim me Ambasadorin Philip Kosnett theksova se PDK, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, gjithmonë ka investuar në forcimin e raporteve mes vendeve dhe popujve tanë dhe kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Për PDK-në, bashkërendimi me Washingtonin për çështje të interesit strategjik është vital dhe i pazëvendësueshëm. Ambasadorin Kosnett e njoftova se PDK si lidere opozitare do të angazhohet me kompetencë dhe profesionalizëm që të ofrojë alternativë kredibile për qytetarët e Kosovës”, shkruan Krasniqi rreth këtij takimi në llogarinë e tij në Facebook.