Kryeministri Hoti: Do t’i fusim 1 miliard euro në ekonominë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se futen 1 miliardë euro në ekonominë e Kosovës.

Ai ka deklaruar se me miratimin e vendimit për “tejkalim të rregullave fiskale” në Kuvend është marrë drita jeshile për implementimin e “Programit për rimëkëmbje ekonomike”, shkruan lajmi.net.

Hoti ka deklaruar gjithashtu se do të sigurohet që ky program të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.

Ky është postimi i tij i plotë:

Të dashur qytetarë,

Me miratimin e vendimit për “Tejkalim të rregullave fiskale” nga Kuvendi i Kosovës, ne si Qeveri sot kemi marrë dritën jeshile për implementimin e “Programit për rimëkëmbje ekonomike”.

Gjatë viteve 2020 – ’21, me ministrat e kabinetit tim, do t’i angazhojmë të gjithë resorët shtetërorë për t’i futur mbi 1 miliard euro në ekonominë e Kosovës. Ashtu sikur shumica e vendeve të BE-së të prekura nga #COVID19, edhe ne e kemi ndjekur rregullin e rritjes së deficitit buxhetor, në mënyrë që të garantojmë qëndrueshmëri financiare.

Bashkë me kabinetin do të sigurohemi që ky program ekonomik e social të jetë gjithëpërfshirës, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim!

Na priftë e mbara!.