Kryeministri Kurti e kryeparlamentarja Osmani bëjnë homazhe në Prekaz: Familja Jashari vuri themelet e shtetit

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, kanë bërë homazhe në kompleksin Adem Jashari në Prekaz, me rastin e 22-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se borxhin ndaj kësaj familjeje mund ta shlyejnë vetëm me punë për shtet-ndërtim.

“Erdhëm për të nderuar epopenë, për të bërë homazhe te kjo familje që e ka vulosur Prekazin si kryeqytet, ne e kemi obligim dhe borxh dhe këtë mund ta shlyejmë vetëm me punë të përditshme për shtet ndërtim”, ka thënë ai.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se familja Jashari do të kujtohet jo vetëm në këto data, por në çdo moment.

“Jo vetëm në këto data, në çdo ditë, në çdo moment duhet ta përkujtojmë këtë sakrificë të familjes Jashari që i ka vënë themelet shtetit tone. Kjo ka ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës para botës se populli shqiptar ishte i shtypur nga ana e regjimit totalitar serb”, tha Osmani.