Kryeministri Kurti kërkon ndihmë nga SHBA-ja për ndaljen e çnjohjeve nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të ndalë, siç tha ai, politikat destruktive të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës.

Një reagim i tillë i Kurtit erdhi pasi ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq tha se edhe Siera Leone ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“I bëj thirrje Serbisë zyrtare që ta ndalë këtë ofensivë dhe të heqë dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës dhe shtetësisë së saj. Po ashtu, do të kërkoj nga faktorët relevantë ndërkombëtarë, në radhë të parë SHBA-ja dhe BE-ja, si ndërmjetësues në procesin e dialogut, ta shtojnë trysninë mbi Serbinë që ta ndërpresë politikën armiqësore ndaj Kosovës”, u shpreh kryeministri Kurti.

Në një postim në rrjetin social Facebook, kryeministri Albin Kurti, tha se “vullnetit tim të mirë, për heqjen e pjesshme të tarifës, Qeveria serbe po i përgjigjet me intensifikim të fushatës së çnjohjeve së pavarësisë së Kosovës”.