Kryeprokurori i Speciales jep detaje për sulmet ndaj Policisë në veri

Pas sulmit të sotëm me AK-47 dhe granata dore në drejtim të Policisë, janë mobilizuar të gjitha institucionet. Gazeta Nacionale ka mësuar se rrugët që të çojnë për në Bërnjak, janë bllokuar për qarkullim të veturave, përderisa prokurorët kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Lajmin për gazetën Nacionale e ka konfirmuar Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj. Isufaj pa dashur të japë shumë detaje, ka thënë se në këtë fazë është herët për të folur rreth pistave të hetimit.

“Unë isha në vendin e ngjarjes, bashkë me udhëheqësin e departamentit Afrim Shefkiun. Në këtë fazë nuk mundemi me thënë asgjë, por jemi duke punuar jashtëzakonisht shumë që ta zbardhim rastin”, ka thënë Blerim Isufaj për Nacionalen.

Gazeta e ka kontaktuar edhe prokurorin Afrim Shefkiu. I njëjti ka thënë se ishte në vendin e ngjarjes, por nuk ka pranuar të japë detaje të tjetra.

“Gjatë ditës dalim me të dhëna nëpërmjet zyrës për media. Bashkë me policinë jemi duke punuar në terren. Nuk mund të flas më shumë”, ka thënë Shefkiu për Nacionalen.

SULMET

Për tri ditë, katër sulme të armatosura kanë ndodhur ndaj Policisë së Kosovës në veriun e vendit. Për t’i kryer këto sulme u përdorën duke nisur nga iriqët metalikë, automatikët AK-47, granatat e dorës, e armë të tjera. Të gjitha këto detaje i zbardhën në një konferencë për media drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dhe ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla.

Në një konferencë të jashtëzakonshme i ftuan mediet qysh në orën 10:00 të mëngjesit. Arsyeja ishte për disa sulme radhazi që u kryen ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës, nga strukturat kriminale serbe në veriun e vendit. Madje, në këtë konferencë, ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla, sulmet ndaj policëve i quajti si akte terroriste.

Sot rreth orës 07:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë duke shkuar për të realizuar ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm tashmë i faktuar me granatë dore dhe AK-47 si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”, ka thënë Sveçla, shkruan gazeta Nacionale.

KATËR SULME PËR TRI DITË

Sulmi i parë – u vendosën iriqa metalikë në rrugën nacionale me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës, në pika kufitare.

Sulmi i dytë – gjuajtje me gurë në drejtim të veturës së Policisë së Kosovës.

Sulmi i tretë – në afërsi të punktit policor që bën sigurimin e pengesave të rrugëve ilegale për kontrabandë, është gjuajtur me armë zjarri.

Sulmi i katërt – dy vetura të policisë janë qëlluar me armë zjarri e granata dore, përderisa po transportoheshin zyrtarët policorë për në pikat kufitare.

Megjithatë, ministri Sveçla ka thënë se qëllimi i Serbisë nuk është ta sulmojë Kosovën, por ta destabilizojë. Por, ai shtoi se Kosova është e përgatitur për çfarëdo skenari.

REAGIMET

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dënuar ashpër atë që e ka cilësuar “sulm të dhunshëm ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës në Komunën e Zubin Potokut”, në orët e hershme të 15 prillit.

“Policia e Kosovës është ofruesja kryesore e sigurisë dhe përdorimi i forcës kundër zyrtarëve është i papranueshëm.”

Zyra e bllokut evropian në Prishtinë u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin spekulimet e panevojshme, të cilat mund të nxisin edhe më shumë tensionet.

I pari që reagoi ishte kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai tha se këto sulme duhet t’i shqetësojnë të gjithë.

Krimi i organizuar ka sulmuar Policinë e Kosovës. Këto akte kriminale janë alarm për të gjithë. Krimi i organizuar nuk ka përkatësi politike as etnike. Ai i rrezikon të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, andaj është në interesin e secilit individ dhe komunitet që ta denoncojë e ta luftojë krimin. Të distancohemi nga dhuna e nga krimi, e të bashkohemi në luftën e pakompromis ndaj tij”, ka shkruar Haradinaj.

Një reagim ironizues e pati edhe analisti Blerim Latifi.

“Katër sulme të armatosura mbi policinë e Kosovës në kufirin verior me Serbinë brenda tri ditësh. Informatat thonë se sulmuesit kanë shtënë nga territori serb, por, siç do të thoshte Edi Rama, s’ka nevojë për shqetësim, sepse edhe këto sulme duhet të shihen në kuadër të vetëmbrojtjes së Serbisë”, ka shkruar Latifi. /nacionale.com/