Kryesia e Kuvendit cakton seancë të premten

Kryesia e Kuvendit ka caktuar seancë plenare për ditën e premte. 

Shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka njoftuar për seancën pas mbledhjes së kryesisë, por nuk ka bërë të ditur orën.

Në kuadër të pikës kryesore të rendit të ditës, është diskutuar propozimi për rendin e ditës së seancës plenare, e cila pritet të përfshijë disa pika të rëndësishme legjislative dhe politike.

Seanca plenare, sipas propozimit, do të nisë me miratimin e procesverbalit nga seanca e kaluar, për të vazhduar me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare, raportoi EO.

Në vijim, deputetët pritet të shqyrtojnë dhe votojnë disa projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të kredisë, përfshirë ato me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, Agjencinë Franceze për Zhvillim dhe KfW, që lidhen me zhvillimin e sektorit financiar, energjinë, klimën si dhe lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu, në rend dite është paraparë votimi i një propozim-rezolute lidhur me rritjen e çmimeve të naftës, mungesën e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimin e saj në koston e jetesës dhe stabilitetin ekonomik në vend.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe zgjedhjen e një anëtari joprokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe një propozim-rezolutë për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999.