Kurti: Shtëpitë duhet t’i bëjmë shkolla për fëmijët

Kryeministri Albin Kurti, ka komentuar fillimin e mësimit online, i cili filloj të shfaqet nga sot në televizionin publik, për nxënësit e klasave të para e deri në të pesta.

Kurti ka thënë se tani që koronavirus na mbylli në shtëpi, duhet t’i kthejmë në shkolla shtëpitë tona, për fëmijët tanë.

“Virusi Corona na ka mbyllur të gjithëve nëpër shtëpitë tona, dhe, ato duhet t’i bëjmë shkolla për fëmijët tanë. Nëpërmjet teknologjisë synojmë që mësimi të jetë më tërheqës për nxënësit. Mësimdhënia duhet ta hapë imagjinatën e nxënësve që ata të mësojnë më mirë e të dinë më shumë. Prindërve u kërkojmë që t’i ulin fëmijët e tyre para televizorit çdo ditë nga ora 11:15”, tha Kurti.

Ai tutje ka thënë se prindërve iu kërkohet që t’i ulin fëmijët e tyre çdo ditë para televizorit nga ora 11:15.

Kurti ka thënë po ashtu se” ky është edhe një rast që të gjithë ne si shoqëri të marrim pjesë në arsim e edukim si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës”.