Kuvendi mban sot seancë të jashtëzakonshme për çmimin e rrymës

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet gjatë ditës së sotme në një seancë të jashtëzakonshme, ku në fokus do të jetë çështja e çmimit dhe faturimit të energjisë elektrike për konsumatorët.

Sipas njoftimit zyrtar, seanca do të ketë vetëm një pikë të rendit të ditës, atë që lidhet me energjinë elektrike, një temë që ka nxitur reagime të shumta në publik kohëve të fundit. Deputetët do të mblidhen në sallën plenare me fillim nga ora 11:00.

Diskutimi për energjinë elektrike vjen në një periudhë kur qytetarët janë përballur me rritje të vazhdueshme të çmimeve të rrymës në vitet e fundit. Këto ngritje kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetesën e përditshme, duke rritur barrën financiare për familjet dhe bizneset.

Përveç faturave më të larta të energjisë, shtrenjtimi i rrymës ka reflektuar edhe në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve të tjera, duke e bërë më të vështirë përballimin e kostos së jetesës për një pjesë të madhe të qytetarëve.

Seanca e sotme pritet të sjellë diskutime të shumta ndërmjet deputetëve lidhur me mënyrën e faturimit, politikat energjetike dhe mundësitë për lehtësimin e barrës për konsumatorët.