Kuvendi miraton rezolutën e propozuar nga AAK-ja lidhur me vizat

Me 65 vota pro, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar rezolutën e propozuar nga AAK-ja lidhur me mosliberalizimin e vizave nga BE-ja.

Deputetët e opozitës, gjatë diskutimeve të tyre e kritikuan edhe pushtetin aktual për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Shefi i deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri gjatë debatit parlamentar ka deklaruar se përmes kësaj rezolute, deputetët do të shtyjnë përpara reformat për shtetin e së drejtës, nisma kundër korrupsionit e zbatim të ligjeve.

Ai tha se kjo rezolutë është e nevojshme dhe kërkon trajtim të barabartë të qytetarëve të Kosovës.

Po ashtu, Tahiri ka theksuar se qeveria duhet të punojë në avancimin e platformës shtetërore, varësisht zhvillimeve të Bashkimit Evropian.