Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot nga ora 11:00 për të vazhduar me pikat e mbetura nga seancat e kaluara plenare.
Pjesë e rendit të ditës do të jetë edhe hedhja në votim e propozim-rezolutës nga debati parlamentar kundër shtrenjtimit të rrymës, si dhe votimi i propozim-rezolutës mbi pagat në sektorin publik.
Më 24 janar, në mungesë të kuorumit nuk është votuar draft-rezoluta e propozuar nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja në Kuvend kundër rritjes së çmimeve të faturave të energjisë elektrike.
Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, kishte paraqitur draft-rezolutën në emër të tri partive opozitare, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike dhe që të ofrohen alternativa të reja nga Qeveria.
Ndryshe, në Kosovë është paralajmëruar rritja e çmimit të rrymës, pasi, siç ka thënë Qeveria, vendi po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar rritje të çmimeve të energjisë për amvisëritë për 9 për qind. Qeveria ka thënë se ka ndarë 75 milionë euro që të subvencionojë një pjesë të faturave të energjisë.
Në propozimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, konsumatorët janë ndarë në pesë kategori: A, B, C, D, E. Nëse jeni në kategorinë A, pra nëse gjatë një muaji shpenzoni 300 kilovatë orë energji elektrike, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 18.87 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 20.40 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 18.87 euro.
Nëse jeni në kategorinë B, apo gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 29.66 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 27.37 euro.