Lajçaku pret marrëveshje Kosovë – Serbi për disa muaj

Negocimi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë mund të çojë në një marrëveshje për disa muaj, ka thënë përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Në një konferencë rajonale në Slloveni, të hënën, Lajçak, ka thënë se do të ishte gabim të parashikohet një datë përfundimtare pasi ka “ende çështje të komplikara për t’i adresuar”.

“Të shohim sa kohë na duhet, por po flas për muaj, nuk po flas për vite. Të dy palët janë të përkushtuara, të dyja janë serioze, dhe respektojnë njëra-tjetrën”, ka thënë ai, raporton Reuters.

Pos dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, top-delegecionet e dy shteteve do të takohen javën e ardhshme në Uashington.

Në anën tjetër, pasi takoi Lajçakun në këtë konferencë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ia ka paraqitur atij qëllimet e Serbisë, duke shprehur mbi të gjitha implementimin e marrëveshjes së mëhershme të asociacionit për komunat me shumicë serbe.

“E respektoj shumë atë që Lajçak po thotë për normalizimin… që është ligjërisht dhe politikisht ndryshe nga ajo që Prishtina dhe të tjerë thonë”, ka cituar Vuçiqin agjencia serbe e lajmeve, “Tanjug”.

Dialogu mes dy vendeve ishte ndërprerë në 2018, por vazhdoi në korrik pasi Kosova hoqi taksat ndaj mallrave serbe. Të dy shtetet ishte paraparë të takoheshin në qershor në SHBA, por takimi kishte dështuar pas ngritjes së aktakuzës së Gjykatës Speciale ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.