Largimi i Murtezajt, “hakmarrje” për emërime në ATK pa konsulta me Qeverinë

Për dallim prej Qalajt, është bërë publik vendimi për shkarkimin e Mutezajt të ATK-së.

Vendimi ka përmbledhur katër shkelje të pretenduara, që e kanë shtyrë Hotin ta lirojë nga detyra, raporton KOHA. 

“Ka miratuar rregulloren për organizimin e brendshëm të ATK-së në kundërshtim me ligjin nr.06/L-113, pa marrë pëlqim paraprak nga ministria përkatëse dhe pa e proceduar te kryeministri për aprovim; ka shpallur konkurs për vende të lira pune, 3 pozita të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, ku ka emëruar ushtrues detyre dhe nuk ka sistemuar ish-zëvendës drejtorët, të cilët i ka konsideruar tepricë; ka bërë lëvizjen e shpeshtë të stafit nga pozitat e tyre në pozita të tjera dhe ka shkaktuar pakënaqësi të madhe duke degraduar zyrtarët e kësaj agjencie në pagat e tyre”, shkruan në arsyetimin e vendimit për shkarkim të drejtorit të ATK-së, nënshkruar nga Hoti.

Në qershor të vitit 2019, me vendim tashmë të ish-drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së, Ilir Murtezaj, zëvendësdrejtori Hamdi Hoxha ishte caktuar në pozitën e udhëheqësit të Divizionit, ndërsa drejtori i Departamentit të Lojërave të Fatit, Florim Kurtishaj, ishte caktuar në pozitën e udhëheqësit të ekipit të mbledhjes. Kjo, sipas ATK-së, ishte bërë pasi pozitat e këtyre dy zyrtarëve ishin shuar në bazë të rregullores së re për organizimin e brendshëm të ATK-së dhe se në këtë institucion nuk kishte pozita ekuivalente dhe me qëllim që të njëjtit të mos dërgoheshin si punëtorë tepricë, ishin caktuar në pozita më të ulëta në mënyrë që të mos e humbnin statusin e zyrtarit të ATK-së.

Para Murtezajt, drejtor i ATK-së ishte Sakip Imeri, bashkëthemelues i LDK-së.

Arsyetime të detajuara nuk janë dhënë për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së shefit të Doganës.

“Në përputhje me kompetencat ligjore dhe bazuar në rekomandimet e ministres së Financave, sot kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka marrë vendim për t’i liruar nga detyra ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës të Kosovës dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës. Në përputhje me ligjet përkatëse në fuqi, kryeministri Hoti ka emëruar Bajram Rexhën ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës dhe Ekrem Hysenajn, ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.