LDK, Kurtit: Nuk marrim pjesë në takim, Abdixhiku nuk është në Kosovë

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do t’i shkojë Albin Kurtit, kryeministrit në detyrë, në takimin e thirrur për të biseduar për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Këtë për Klankosova.tv e bëri të ditur Besian Mustafa, zëdhënës për media në LDK.

Ai është shprehur se ftesën tashmë e kanë pranuar dhe se kryetari i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku, për momentin nuk është në Kosovë.

“Ka ftesë. Nuk marrim pjesë në takim, njëkohësisht kryetari Abdixhiku nuk është në Kosovë”, ka thënë Mustafa.

I njëjti ka thënë se sa i përket çështjes së nënkryetarëve të Kuvendit, kjo është e caktuar me ligj, si vend që u takon partive politike.

“Për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit, të përcaktuar si vende përfaqësimi të partive, nuk është çështje diskutimi sepse janë pozita të përfaqësimit partiak”, u shpreh Mustafa.

Kurse, për çështjen e Kryetarit të Kuvendit, Mustafa tha se është çështje politike dhe kërkon shumicë politike. “Per këtë çështje veçse kemi dhënë qëndrim”, theksoi Mustafa.

Kurti ftoi sot kryetarin e LDK-së dhe të PDK-së për takim me 1 maj lidhur me krijimin e institucioneve të reja. Kurti takimin me dy liderët e ka ftuar të enjten në orën 08:30.