Lëshohen për trajtim në shtëpi, dy të infektuarit me koronavirus që erdhën nga Londra

Dy personat e ardhur dje nga Londra e që dolën pozitivë me virusin COVID-19 sot janë lëshuar nga Klinika Infektive dhe po trajtohen në shtëpi.

Këtë e ka konfirmuar infektologu Salih Ahmeti, i cili shtoi se ata nuk kanë probleme shëndetësore. “Po, janë lëshuar sepse nuk kanë manifestime klinike të sëmundjes, janë në vetizolim dhe janë nën mbikëqyrjen tonë. Nëse eventualisht përkeqësohet gjendja do të reagojmë. Ishte edhe vetë kërkesë e tyre kjo”, tha Ahmeti.

Infektologu tregoi edhe për gjendjen e pacientëve të tjerë më koronavirus, i cili tha se kjo javë është më kritike për ta.

“Realisht pacientët e tjerë kanë filluar në javën e dytë të sëmundjes, kur është java më kritike për ta. Kanë temperatura, kanë pak përkeqësime por po i menaxhojmë. Ky i moshuari situatën e kemi ende në kontroll por të shohim”, tha Ahmeti për KALLXO.com.

Ai po ashtu tha se dy infektologët e testuar kanë dalur negativ.

Siç ka njoftuar dje IKPShK, pacientët e ardhur nga Londra, kanë qëndruar atje 4 mars deri dje dhe pasi kanë mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, janë detektuar nga shërbimet shëndetësore të aeroportit dhe janë përcjellur me auto ambulancë për në Klinikën Infektive-SHSKUK. Deri sot 16 raste janë konfirmuar me koronavirus në Kosovë. Gjithashtu në Kosovë është shpallur gjendje emergjente e shëndetit publik.