Limaj: Është koha e fundit që BE të merr masa ndaj këtij regjimi

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas deklaratës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili foli për luftë të re nëse dialogu mes dy vendeve nuk ka sukses.

Limaj ka thënë se është koha e fundit që Bashkimi Europin të merr masa ndaj këtij regjimi.

Më tutje, Limaj thotë se ushtria që ka bërë gjenocid, spastrime etnike nëpër ish-Jugosllavi e posaçërisht në Kosovë, vazhdon të jetë e komanduar nga ekzekutorët e gjenocidit dhe e drejtuar nga të njëjtit politikanë që e kanë përdorur këtë ushtri për realizmin e planit të Serbisë së Madhe përmes luftës, terrorit e gjenocidit.

Lideri i Nismës ka thënë se gjithmonë do të kemi një Serbi luftënxitëse e kërcënuese për rajonin e më gjerë për sa kohë që këta njerë nuk përgjigjen për krimet e kryera.

Deklarata e plotë e Limajt:

”Derisa këta njerëz nuk përgjigjen për krimet që i kanë kryer dhe derisa nuk shpërbëhet ajo organizatë kriminale e quajtur ushtri dhe drejtues tjerë të sistemit të sigurisë, gjithmonë do të kemi një Serbi luftënxitëse e kërcënuese për rajonin e më gjerë. Është koha e fundit që Bashkimi Europian të merr masa ndaj këtij regjimi”.