Limaj: Sulm i paprecedent, KQZ-ja një lojtar politik aktiv

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka quajtur sulm të paprecedent vendimin e KQZ-së moscertifikimin e listës së kandidatëve për deputet të këtij subjekti.

Limaj me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se ka një interes të madh që NISMA të mos jetë pjesë e parlamentit.

“Me këtë vendim, PDK dhe LDK dëshirojnë që të heshtin zërin e vlerave kombëtare dhe të trashëgimisë së UÇK-së në institucionet vendim-marrëse në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova”.

“Sonte KQZ-ja është shndërruar në një lojtar politik aktiv. Përderisa deri më tani gjithmonë, anëtarët e KQZ-së kanë miratuar vendimet e zyrave profesionale siç ishte në këtë rast Zyra për Certifikim, kësaj radhe duke shpërfillë krejtësisht vendimin profesional të zyrës për certifikim, ata vendosën që të mos e certifikojnë NISMA Socialdemokrate”.

“Në raport me NISMËN Socialdemokrate kjo nuk është hera e parë që na behët padrejtësi, në zgjedhjet e vitit 2019, zyra për pranimin e votave të ardhura nga Serbia në mënyrë ilegale, kishte rekomanduar në kundërshtim me ligjin pranimin e këtyre votave, në këtë rast KQZ kishte refuzuar të marrë vendim kundër këtyre votave sepse argumenti i tyre ishte se ka ardhur rekomandimi nga zyra profesionale. Siç e din opinioni, të gjitha këto beteja ligjore NISMA Socialdemokrate i ka fituar, edhe kësaj radhe jemi të sigurt se në hapat e ardhshëm legal do të triumfoj”,ka shkruar Limaj.