Sunny Hill Festival

Llojet e proteinave që duhet konsumuar personat me diabet

 Për personat me diabet, proteinat janë thelbësore për të mbajtur sheqerin në gjak të qëndrueshëm.

Sipas një studimi të ri, proteinat me aminoacide si leucina dhe lizina, janë më të rëndësishmet që mund ta mbrojnë organizmin nga dëmtimi.

Megjithatë, sipas Udhëzimeve të Iniciativës për Cilësinë e Rezultateve në Sëmundjet e Veshkave 2022, ende nuk ka prova të mjaftueshme për të preferuar një lloj proteine mbi një tjetër, ka shkruar EatingWell.

Prandaj, për pacientët me diabet apo probleme me dëmtim të veshkave e që nuk janë në dializë, rekomandohet marrja e kufizuar e proteinave deri në 0.8 gram për kilogram të peshës ideale trupore në ditë. Ky rekomandim vlen edhe për njerëzit pa diabet, ani pse për disa mund të jetë sasi e ulët.

Numri i të prekurve nga diabeti i tipit 2 po rritet çdo vit, dhe bashkë me të edhe komplikimet që e shoqërojnë, si sëmundja diabetike e veshkave (DKD). Kjo e fundit është shkaku kryesor i sëmundjes kronike të veshkave (CKD) dhe një nga kontribuesit kryesorë të dëmtimit të veshkave. Sëmundja e veshkave rrit gjithashtu rrezikun për sëmundje të zemrës.

Çfarë tregoi studimi i ri?

Një ekip studiuesish nga Tajvani publikoi në revistën Nutrients një analizë mbi ndërlidhjen mes llojeve të proteinave dhe aminoacideve me rrezikun për sëmundje diabetike të veshkave ( komplikim që ndodh kur niveli i lartë i sheqerit në gjak dëmton enët e vogla të gjakut që ndodhen në veshka, si pasojë e së cilit dëmtohet aftësitë e veshkave për të filtruar lëngjet dhe toksinat nga gjaku).

Studiuesit përfshinë 378 persona me diabet të tipit 2, me moshë mesatare 63 vjeç. Bazuar në analizat e urinës, ata ndanë pjesëmarrësit në dy grupe: 
ata që kishin vetëm diabet, dhe
ata me diabet dhe dëmtim të veshkave.
Më pas, pjesëmarrësit u ndanë në tre grupe sipas sasisë së proteinave që konsumonin:

Grupi 1: më pak se 0.8 g/kg

Grupi 2: 0.9–1.2 g/kg

Grupi 3: më shumë se 1.3 g/kg

Rezultatet kanë treguar se grupi që merrte më pak proteina (Grupi 1) kishte funksionin më të dobët të veshkave krahasuar me Grupin 2 (85) dhe Grupin 3 (87). (Vlera normale e eGFR është mbi 90).
Grupi 1 kishte gjithashtu nivelin më të lartë të sheqerit në gjak, kur organizmi ishte esëll , HbA1c (mesatarja e sheqerit në 3 muajt e fundit) dhe mikroalbuminës në urinë, që është tregues për dëmtim të veshkave.

Cilat aminoacide janë të rëndësishme?

Kur analizuan më tej aminoacidet, që janë përbërësit bazë të proteinave, studiuesit zbuluan se marrja e më shumë llojeve të aminoacideve lidhej me rrezik më të ulët për sëmundje të veshkave.
Këto janë:

Aminoacidet me zinxhir të degëzuar (BCAA)

Aminoacidet aromatike (AAA)

Aminoacidet ketogjenike

Nga të gjitha, leucina dhe lizina, të dyja aminoacide esenciale që trupi nuk mund t’i prodhojë vetë, ishin më të lidhurat me mbrojtjen nga sëmundja e veshkave.

Studiuesit rekomanduan që për pacientët me CKD që nuk janë në dializë, përveç sasisë totale të proteinave, të merret parasysh edhe balanca e aminoacideve.
Ata sugjeruan:

Shtesa me BCAA dhe histidinë

Kufizimi i tirozinës, metioninës dhe acidit glutamik, që ndodhen në sasi të larta te mishi

Çfarë mund të bëni në praktikë?

Studiuesit kanë bërë të ditur se leucina dhe lizina, që mbronin më shumë organizmin, ndodhen në ushqime si:
Produkte qumështi (qumësht, kos, djathë)
Peshk dhe fruta deti
Vezë
Arra dhe fara
Mish si ai i viçit, e gjeldetit
Sojë dhe produkte të saj 
Drithëra të plota (quinoa, hikërror, amarant)
Bishtajore (fasule, thjerrëza, qiqra)