Lulzim Basha për vizitë dyditore në Kosovë

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha do të fillojë sot një vizitë dyditore në Kosovë me ftesë të kryeministrit Avdullah Hoti.

Ai me këtë rast do të takohet me presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Avdullah Hoti, kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj, atë të Nismës, Fatmir Limaj.

Po ashtu do të ketë takime me drejtuesit e LDK-së dhe PDK-së.

Nesër, kryetari i Partisë Demokratike do të takohet me kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti dhe atë të Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Basha do të zhvillojë homazhe pranë varrit të presidentit Ibrahim Rugova, varrit të Isa Boletinit në Boletin, dhe te Memoriali i Jasharëve në Prekaz.

Gjatë vizitës në Kosovë, kreu i PD-së do të shoqërohet nga Edi Paloka, nënkryetar i kësaj partie, Besnik Mustafa, ish-ministër i Jashtëm dhe kryetar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Kreshnik Çollaku, anëtar i Kryesisë së PDSH-së dhe Arben Çejku, ish-ambasador dhe drejtues i Qendrës Shqiptare për Mirëqeverisje.

Basha do të takohet me: 


Ora 11.00- Takim me Kryeministrin Avdullah Hoti VENDI: Kryeministria
Ora 12.00 -Takim me Presidentin Hashim Thaçi VENDI: Presidencë
Ora 13.00- Takim/drekë pune me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin
Ora 15.00- Takim me Kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani VENDI: Zyra e Kryetarit të Kuvendit
Ora 16.00- Takim me Ramush Haradinaj, Kryetari i AAK VENDI:  Selia e AAK
Ora 17.00 – Takim me Fatmir Limaj, Kryetari i Partisë Nisma për Kosovën  VENDI: Selia e Nismës
Ora 17:45 – Takim me drejtuesit e LDK-së  VENDI: Selia e LDK
Ora 18:30 – Takim me drejtuesit e PDK-së   VENDI:  Selia e PDK
Të martën, Kryetari i Partisë Demokratike do të takohet me Kryetarin e Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti dhe me Kryetarin e Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri. Zoti Basha do të zhvillojë homazhe pranë varrit të Presidentit Ibrahim Rugova, varrit të Isa Boletinit në Boletin, si dhe do të zhvillojë homazhe te Memoriali i Jasharëve në Prekaz.