Lumir Abdixhiku i fton partitë parlamentare për qeveri tranzicionale

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njoftoi të martën se i ka ftuar të gjitha partitë parlamentare shqiptare të takohen së bashku për ta formuar një qeveri tranzicionale dhe “unifikuese”.

“Propozojmë nisjen e një procesi të ri politik. Në përputhshmëri me këtë, LDK-ja propozon nisjen e këtij procesi me të gjitha partitë për nisjen e një qeverie nacionale të tranzicionit”, tha Abdixhiku në një konferencë për media në Prishtinë.

Abdixhiku ishte ftuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për ta formuar një koalicion qeverisës të hënën, në ditën kur dështoi për herë të 11-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Por, Abdixhiku tha se qëndrimet e partisë së tij nuk kanë ndryshuar dhe se ajo nuk dëshiron të bashkëpunojë me Vetëvendosjen.

“E kam vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me Kurtin”, tha ai.

Abdixhiku tha se i ka ftuar liderët e partive parlamentare dhe se e fton edhe Kurtin, për takim konsultativ për ta nisur këtë proces.

Ai tha se qeveria e tranzicionit do të kishte një kryeministër “unifikues” dhe se do të zgjaste deri në kohën kur vendi duhet ta zgjedhë presidentin e ri, pra në prill të vitit 2026, kur presidentes së tanishme Vjosa Osmani i mbaron mandati.

“Po flasim për qeveri nacionale të tranzicionit, të unitetit të tanishëm, të domosdoshëm për Kosovën dhe me afat të shkurtër. Me kryeministër dhe kabinet unifikues deri në zgjedhjen e presidentit të Kosovës”, tha ai.

Abdixhiku tha se disa prej liderëve të partive parlamentare kanë shprehur gatishmëri për këtë dhe se Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka pranuar ftesën.

Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse, që është pamjaftueshëm për të qeverisur e vetme.

Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.

AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.

Procesi ka ngecur në konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës, për shkak të dallimeve të mëdha mes partive parlamentare në lidhje me kandidaten e propozuar nga Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit.