Maroku i bashkohet listës jo të gjatë të gjysmëfinalistëve befasues


Rrugëtimi i Marokut në “Katar 2022” nuk paraqet herën e parë që një përfaqësuese tejkalon pritjet duke zënë vend në gjysmëfinale të Kupës së Botës.

Maroku ka bërë miliona tifozë nëpër botë me paraqitjen në turneun e jashtëzakonshëm në Katar.

Tashmë ka arritur suksesin që nuk pritej duke u bërë njëra prej katër përfaqësueseve më të suksesshme në Kupë të Botës. Rrugës për në gjysmëfinale ka eliminuar favoritet e mëdha si Spanja e Portugalia.

Përfaqësuesja afrikane nuk është llogaritur shumë para Botërorit, por ka kaluar çdo pengesë rrugës duke shokuar botën deri më tani.

Në të kaluarën ka pasur disa raste, jo shumë, kur përfaqësueset kanë befasuar duke arritur deri në gjysmëfinale. FIFA.com paraqet ato.

Mst: Bullgaria dhe Suedia në vitin 1994

“SHBA-ja 1994” mbahet mend si Botërori në të cilin shumë përfaqësuese bënë debutimin në skenën më të madhe. Por po ashtu si Kupë e Botës me rezultate jo shumë të pritura.

Bullgaria e Suedia nuk është pritur të shkojnë larg në turne, por të dy përfaqësueset evropiane tejkaluan pritshmëritë. Suedia kaloi në një të tetën e finales pasi përfundoi e dyta në grup. Mblodhi pesë pikë pas fitores me Rusinë dhe barazimeve me Kamerunin dhe Brazilin. Henrik Larsson dhe bashkëlojtarët e tij vazhduan shkëlqimin duke eliminuar Arabinë Saudite në një të tetën e finales dhe më pas Rumaninë në çerekfinale me penallti. Në gjysmëfinale Suedia u ndal nga Brazili.

Bullgaria shkoi larg falë shkëlqimit të Hristo Stoichkovit. Pas dy fitoreve në grup, Bullgaria e mposhti Meksikën në 1/8 e finales. Më pas bullgarët shokuan botën duke fituar 2:1 ndaj Gjermanisë në çerekfinale.

Rrugëtimi i Bullgarisë përfundoi në gjysmëfinale, ku Italia ishte më e fortë. Më pas humbi edhe nga Suedia në ndeshjen për vend të tretë, 4:0.

Kroacia në vitin 1998

Kur Kroacia mori pjesë në Kupën e saj të parë të Botës në vitin 1998, pritjet ishin të vogla për Davor Shukerin dhe bashkëlojtarët e tij. Përfaqësuesja kroate ishte formuar vetëm rreth katër vjet më herët.

Në mënyrë të mahnitshme, Kroacia shkoi deri në gjysmëfinale. Fitoret ndaj Xhamajkës dhe Japonisë mundësuan që Kroacia të përfundonte e dyta në grup. Kroatët fituan 1:0 ndaj Rumanisë në 1/8 e finales, falë një penalltie nga Shukeri.

Në çerekfinale Kroacia shkëlqeu duke fituar 3:0 ndaj Gjermanisë. Kështu zuri vend në katërshen më të mirë. Por në gjysmëfinale humbi nga nikoqirja Franca, që edhe e fitoi atë Botëror.

Kroacia përfundoi e treta, duke mposhtur Holandën në ndeshje për këtë vend. Golat i shënuan Robert Prosineqki dhe top-golashënuesi i atij Botërori, Shukeri.

Koreja e Jugut në vitin 2002

Holandezi Guus Hiddink u emërua selektor i Koresë së Jugut pas punës impresive me holandezët nga viti 1995 deri në vitin 1998. Me të arritur në Azi, Hiddink menjëherë implementojë regjimin strikt dhe kampet e gjata stërvitore që nënkuptonte se Koreaj e Jugut në Botëror ishte në formën më të lartë fizike. Koreanët fituan grupin pas fitoreve ndaj Polonisë dhe Portugalisë si dhe barazimit me SHBA-në. Në 1/8 e finales, Koreja e Jugut befasoi të gjithë duke e mposhtur Italinë, 2:1, falë golit të artë nga Jung-hëan.

Por kjo nuk ishte e tëra. Koreja e Jugut e mposhti Spanjën në penallti në çerekfinale, para se të mposhtej nga Gjermania në gjysmëfinale. Ekipi i Hiddinkut përfundoi i katërti. U mposht 3:2 nga Turqia për vend të tretë.

Turqia në vitin 2002

Turqia ishte një befasi tjetër e Botërorit 2002. Pas startit të zbehtë, duke humbur ndeshjen e parë me Brazilin dhe duke barazuar 1:1 me Kosta-Rikën, turqit fituan ndeshjen e fundit në grup ndaj Kinës me golat nga Hasan Sas, Bulent Korkma dhe Umit Davala.

Një tjetër gol nga Davala ishte dallimi ndaj nikoqires, Japonisë në 1/8 e finales. Në çerekfinale Turqia e kaloi Senegalin me golin e Ilhan Mansiz në kohën shtesë. Kështu Turqia për herë të parë në histori u kualifikua në gjysmëfinale. Në këtë fazë u ndal nga Brazili, ndërsa më pas fitoi ndaj Koresë së Jugut për vendin e tretë në botë.