Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), njofton opinionin publik se gjatë pesë muajve të parë të vitit 2025 janë mbledhur gjithsej 460.4 milionë euro të hyrat tatimore, duke shënuar një rritje prej 10.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky rezultat dëshmon përkushtimin tonë të vazhdueshëm ndaj forcimit të sistemit tatimor, rritjes së formalizimit të ekonomisë, si dhe rritjes së transparencës dhe profesionalizmit institucional.
ATK mbetet e përkushtuar në forcimin e integritetit dhe transparencës, duke ofruar mbështetje profesionale të rregullt dhe të qasshme për të gjithë tatimpaguesit. Zbatimi i ligjit në mënyrë të barabartë dhe monitorimi i përhershëm i zbatimit të obligimeve tatimore janë thelbësore në rrugëtimin tonë drejt një administrate më të fuqishme dhe më të besueshme.
Gjithashtu, falënderojmë tatimpaguesit që përmbushin detyrimet e tyre me korrektësi, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e përgjithshme të vendit tonë.
ATK do të vazhdojë me përkushtim të plotë misionin e saj, duke punuar në partneritet të ngushtë me qytetarët dhe institucionet për të ndërtuar një sistem tatimor të drejtë, efikas dhe të qëndrueshëm.