Mbyllen ndeshjet e sotme në Superligë, fitojnë favoritët

Kanë përfunduar tri ndeshjet e sotme të javës së 21-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Ballkani ka shënuar fitore me rezultat 3:0 ndaj Ulpianës. Golat për vendasit i realizuan, Edvin Kuc (41’), Blend Baftiu (44’) dhe Mevlan Zeka (75’).

Me këtë fitore, Ballkani e mban pozitën e parë në tabelë me 42 pikë, kurse Ulpiana mbetet e teta me 19 gjithsej.

Drita ka shënuar gjithashtu fitore në udhëtim ndaj Malishevës me rezultat 1:2.

Marko Simonovski (49’) dhe Astrit Fazliu (61’) realizuan për gjilanasit, kurse për Malishevën shënoi Marc Olivier (82’).

Drita me këtë fitore shkon në kuotën e 41 pikëve në vendin e dytë, një më pak se Ballkani. Në anën tjetër, Malisheva mbetet e shtata me 23 pikë

Llapi në “Zahir Pajaziti” e shënoi edhe fitoren e radhës. Llapjanët mposhtën 4:2 Feronikelin. Firmino (6’), Adem Maliqi (10’), Amadu (34’) dhe Bianor Neto (41’) shënuan për llapjanët, kurse Kaltrin Seferi (71’) dhe Sokol Kiqina (84’) shënuan për “Industrialistët”.

Llapi me këtë fitore shkon në kuotën e 36 pikëve në vendin e katërt, gjashtë më pak se lideri, Ballkani, kurse Feronikeli mbetet i fundit me 11 pikë të grumbulluara gjithsej.