Mbyllet Pishina e Gërmisë

Me kërkesë të Inspektoratit Sanitar, Pishina e Gërmisë është mbyllur përkohësisht deri në marrjen e mostrave dhe përfundimin e analizave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

NPL “Sport Marketing” njoftoi përmes një postimi në Facebook se kontrollet e cilësisë së ujit kryhen rregullisht, duke përfshirë matjen e të gjitha parametrave përkatës, në përputhje me standardet dhe procedurat e mirëmbajtjes.

Sipas njoftimit, gjendja e përgjithshme e Pishinës së Gërmisë vlerësohet e mirë, si për sa i përket cilësisë së ujit, ashtu edhe kushteve të ambienteve.

Megjithatë, ndërmarrja thekson se, në përputhje me procedurat e IKSHPK-së për pishinat publike dhe në funksion të transparencës ndaj qytetarëve, aktiviteti do të mbetet i pezulluar deri në publikimin e rezultateve zyrtare.

“Si ndërmarrje, respektojmë dhe zbatojmë vendimet e organeve përgjegjëse, duke pasur si prioritet kryesor sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve. Pas përfundimit të procedurave dhe marrjes së rezultateve zyrtare, do t’ju informojmë me kohë për vazhdimin e punës së Pishinës së Gërmisë”, thuhet në njoftimin e NPL “Sport Marketing”.