Mësimi online fillon të hënën në RTK dhe dy platforma online

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Hykmete Bajrami ka deklaruar se janë bërë të gjitha përgatitjet për të filluar transmetimi i mësimit për klasën e parë deri të pestën, i cili nis të hënën, ndërsa pritet që së shpejti të fillojë nga klasa e pestë deri në të nëntën dhe klasat e dymbëdhjeta.

Transmetimi i mësimit do të bëhet në dy kanalet e Radio Televizionit të Kosovës dhe në dy platforma online. Ministrja Bajrami pranon se procesi nuk është perfekt por është nisma e parë e ministrisë që drejton, ndërkohë që momentin e kthimit të rrethanave normale do të vazhdojë me digjitalizimin e materialeve didaktike, për të ecur në hap me botën e që do të ndikojë edhe në problemet me çanta të rënda.

Bajrami nëpërmjet telefonit ka thënë se ka një javë rresht që janë bërë video-xhirime në shkollën model, ku kanë qenë një numër i madh i mësueseve në bashkëpunim me drejtorinë e arsimit të komunës së Prishtinës.

“Sot prapë një numër i madh i njerëzve po punojnë në organizimin e videove dhe në dy platformat online që i kemi. Mësimi do të fillojë të hënën me 24 mars, do të ketë transmetim në RTK1 dhe RTK 4, ndërkohë, të gjitha video xhirimet do të jenë të disponueshme në platformën e-mësimi dhe gjithashtu materialet që janë punuar me iniciativa private në gjuhën shqipe por edhe në gjuhë të tjera, do t’i huazojmë nga vendet e tjera, do të jenë të disponueshme për nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit në një uebfaqen tjerë që quhet e-platforma. Në javën e parë do të kemi mësime kryesisht për klasën e parë deri në klasën e pestë, po besoj që shumë shpejt fillojmë mandej deri në klasën e nëntë dhe klasat e dymbëdhjeta ”, tha ajo.

Bajrami ka folur edhe për sfidat që mund të dalin në këtë proces, me mësimdhënës që nuk kanë qasje në internet por gjithashtu edhe për nxënësit që edhe në mënyrë klasike nuk kanë suksesin e duhur.