Messi do ta vazhdojë kontratën me PSG-në

Lionel Messi nuk do të largohet nga Paris Saint-Germaini në fund të këtij sezoni si lojtar i lirë. Ylli argjentinas ka vendosur ta vazhdojë bashkëpunimin me Parisin, pasi parimisht ka arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës.

“L’Equipe” shkruan se kanë mbetur edhe disa detaje të formalizohen, përpara se Messi të zyrtarizohet si pjesë e Parisit. Me rinovimin e kontratës, Messi do të jetë pjesë e ekipit francez deri në verën e vitit 2025, si dhe do ta ketë opsionin e rinovimit edhe për një vit tjetër.

Thuhet se Messi është i kënaqur te Parisi dhe për këtë arsye do të qëndrojë për ta ndihmuar klubin drejt sukseseve të reja.

35-vjeçari këtë sezon ka 13 gola e 14 asistime në 21 paraqitje, ndërsa është pjesë e Parisit prej verës së vitit 2021 kur iu bashkua si lojtar i lirë.