Messi fiton “Topin e Artë” për herë të tetë

Lionel Messi ka fituar “Topin e Artë” për herë të tetë. “Topi i Artë” është trofeu kryesor individual në futboll. Messi 36-vjeçar u shpall më i miri i vitit për faktin se udhëhoqi Argjentinën drejt titullit të kampionit të botës. Ishte trofeu i vetëm që i mungonte në karrierën e pakrahasueshme.

Messi është rekordmen sa u takon trofeve të “Topit të Artë”. I dyti në listë është Cristiano Ronaldo me pesë trofe.

Argjentinasi Messi së fundi e kishte fituar Topin e Artë në vitin 2021, ndërsa për këtë vit kishte konkurrencë të madhe nga Erling Haaland, sulmuesi i Manchester Cityt dhe Kylian Mbappe, sulmuesi i Paris Saint-Germainit.

Është pritur që Messi ta fitojë Topin e Artë dhe në ceremoninë madhështore të së hënës mbrëma nuk kishte befasi. Ceremonia mblodhi figurat kryesore të futbollit, ndërsa u mbajt në Paris.

Topin e Artë e ndan “France Football” që nga viti 1956. Është çmimi më prestigjioz në sport. Vjet fitues ishte Karim Benzema.

“Është mirë të jesh këtu edhe një herë dhe të shijosh këtë moment. Të jem në gjendje të fitoj Kupën e Botës dhe të realizoj ëndrrën time. Nuk kam mundur të imagjinoj karrierën që kam pasur dhe gjithë atë që kam arritur. Kam pasur fatin të jem pjesë e ekipit më të mirë në histori”, ka thënë Messi pasi pranoi trofeun.

Çmimin për Messin e ndau David Beckham.

“Është shumë e veçantë të them se ai është lojtar i Miamit dhe është në qytetin tonë. Ai do të festojë me bashkëlojtarët dhe familjen në mënyrën e tij. Do të bëjmë çdo gjë për të festuar në mënyrën e Miamit. Do të bëjmë një festë të mirë”, ka thënë Beckham.

Në dhjetëshen më të mirë kanë zënë vend edhe Kevin De Bruyne, Rodri, Vinicius Jr, Julian Alvarez, Victor Osimhen, Bernardo Silva e Luka Modriq.

Për kohë të gjatë Messi e Cristiano Ronaldo ishin në garë se kush do të fitojë më shumë trofe të Topit të Artë. Portugezi Ronaldo së fundi u shpall fitues në vitin 2017. Prej atëherë Messi ka fituar edhe tre trofe, në vitet 2019, 2021 e 2023.

Messi tani po luan për Inter Miamin në SHBA. Ai kaloi dy vjet te Parisi, pasi bëri histori me Barcelonën deri në vitin 2021.

Në ceremoninë “Topi i Artë” janë ndarë edhe shumë trofe të tjerë.

Futbollistja më e mirë e vitit është shpallur Aitana Bonmati e Barcelonës dhe Spanjës. Jude Bellingham fitoi trofeun “Kopa” që ndahet për lojtarin më të mirë të ri. Emiliano Martinez fitoi trofeun “Yashin” për portierin më të mirë të vitit. Vinicius Junios fitoi çmimin “Socrates” për kontributin humanitar. Barcelona te futbollistet dhe Manchester City te futbollistët u shpallën klubet më të mira.

Haaland nuk mbeti duarthatë. Fitoi çmimin “Gerd Mueller” për golashënuesin më të mirë të vitit.

Me shumë gjasë ky është trofeu i fundit i Topit të Artë për Messin. Karriera e tij po shkon drejt fundit, por tashmë shumë njerëz e llogaritin më të madhin në histori të futbollit. Haaland e Mbappe vlerësohen favoritë për ta fituar Topin e Artë në vitet e ardhshme.