Milani synon ta thellojë krizën e Juventusit

Xhiroja e katërt në Serie A, do të sjellë derbin e madh italian ndërmjet Juventusit dhe Milanit. Të dielën mbrëma në Torino, “Zonja e Vjetër” do të kërkojë këndelljen në kampionat përballë “Rossonerëve” që po kalojnë në një formë fantastike në fillim të këtij sezoni.

Juventusi në këtë takim futet pas fitores në Ligën e Kampionëve ndaj Malmos derisa Milani u mposht nga Liverpooli. Pas tri xhirove në Serie A, Juventusi nuk ka marrë ende pikë të plota duke pësuar dy humbje dhe një barazim. Skuadra që udhëhiqet nga trajneri, Massimilano Allegri ka pasur një start të dobët në Serie A dhe synon të gjejë fitoren e parë përballë Milanit që është në formë të lartë. “Kuqezinjtë” pas tri ndeshjeve kanë tri fitore duke grumbulluar nëntë pikë. Milanit në këtë takim, do t’i mungojë sulmuesi Zlatan Ibrahimoviq.

Kampioni në fuqi, Interi do të kërkojë të kthehet te fitorja të shtunën në shtëpi ndaj Bolognas.

Roma do të synojë fitoren e katërt rresht në kampionat në udhëtim te Verona.

Lazio, të dielën do të ketë punë me Cagliarin, ndërsa Empoli e pret Sampdorian.

Kjo xhiro do të mbyllet të hënën mbrëma me duelin ndërmjet Udineses dhe Napolit.