Milani triumfon ndaj Interit

Milani ka arritur të fitojë ndaj Interit në derbi me rezultat të ngushtë 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e katërt në Serie A.

Rivalët e mëdhenj lokal kanë dhuruar një ndeshje të zjarrtë në Derby della Madonnina, por në fund ishte Milani që iu gëzua fitores së parë pas gati pesë vitesh në Serie A.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte e barabartë për nga krijimi i rasteve dhe menaxhimi i lojës, por Rossonerët shënuan dy gola, kundrejt një të Nerazzurrëve.

Zlatan Ibrahimovic shënoi në minutën e 12-të për 0-1 pas një topi të kthyer nga penalltia e pritur nga Samir Handanovic, ndërsa në minutën e 16-të suedezi shënoi për 0-2.

Interi arriti të kthehet në lojë në minutën e 28-të dhe ishte Romelu Lukaku, i cili shënoi nga afërsia për 1-2 dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.

Në pjesën e dytë, Interi kishte diçka më shumë nga loja, pasi tentonte ta rikthente rezultatin apo së paku të barazonte.

Megjithatë, edhe përkundër disa rasteve si ai i Achraf Hakimi (60’), shifrat mbeten të pandryshuara dhe Milani mori një fitore me rezultat 2-1.

Pas kësaj fitore, Milani e sheh veten në pozitën e parë me pikë maksimale 12, ndërsa Interi renditet i gjashti me shtatë pikë.

Në ndeshjen e radhës, Nerazzurrët udhëtojnë te Genoa, ndërsa Rossonerët e presin Romën.