Ministria e Financave i fton pensionistët të aplikojnë për kalim në pension parcial kontributdhënës

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka njoftuar të gjithë qytetarët se mund të regjistrohen për kalim në pension parcial kontributdhënës deri më datë 31 dhjetor 2023.

Sipas një njoftimit të Ministrisë të gjithë ata të cilët nuk kanë pasur mundësi të aplikojnë përmes formularit elektronik, kanë mundësinë që akoma të aplikojnë duke u paraqitur në Zyrat Pensionale në rajonin e tyre përkatës dhe dorëzuar dokumentacionin që nevojitet për aplikim.

Të gjithë pensionistët që për shkak të largimit të dhunshëm nga puna në vitet 90-ta nuk kanë pasur mundësi të plotësojnë 15 vite stazh pune, pas ndryshimit të Ligjit për skemat pensionale që u bë në korrik të këtij viti, kanë mundësinë të kalojnë në kategorinë e pensionit parcial kontributdhënës.

“Pensioni parcial kontributdhënës do të jetë skemë e përhershme. Qytetarët që duan të përfitojnë në mënyrë retroaktive nga korriku 2023 duhet të aplikojnë deri më 31 dhjetor 2023. Ndërsa, për aplikimet pas kësaj date, kompenzimi bëhet nga muaji prej kur aplikuesi kualifikohet për pension parcial kontribuiv”, thuhet në njoftim.

Për të aplikuar pensionistët duhet të dorëzojnë kopjen e letërnjoftimit të vlefshëm të Republikës së Kosovës si dhe dëshmi se janë larguar nga puna si rezultat i aplikimit të masave të dhunshme.

Këto dëshmi mund të jenë libreza e punës e mbyllur në vitet e aplikimit të masave të dhunshme, nga 01.01.1989 e tutje, vendimi i largimit nga puna si rezultat i aplikimit të masave të dhunshme, lista e punëtorëve të institucioneve dhe organizatave/sindikatave të pavarura, të larguar nga puna si pasojë e masave të dhunshme pas 01.01.1989, e vërtetuar nga institucioni përkatës, regjistri i protokollit të organizatave punuese që janë privatizuar, i vërtetuar nga institucioni përkatës, dëshmi nga ish BVI-ja e punësimit, dëshmi për reduktim të vendeve të punës, për shkak të masave të dhunshme të tepricës teknologjike, formulari M-2 për ndërprerjen nga sigurimi si dhe çdo dëshmi tjetër të cilën pala e posedon dhe e cila dëshmon se i njëjti është larguar nga puna në vitet 90-ta si rrjedhojë e masave të dhunshme.