MINTI gjobit KEDS-in me 65 mijë euro për njehsorët

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka gjobitur operatorin për shpërndarjen e energjisë elektrike, KEDS, me 65 mijë euro, pasi inspektimet kanë konstatuar përdorimin e njehsorëve elektrikë me afat të skaduar të verifikimit metrologjik.

Sipas njoftimit të ministrisë, kontrollet janë kryer nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK) dhe Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në kuadër të inspektimeve që po zhvillohen në të gjithë territorin e Kosovës.

Gjatë këtyre kontrolleve janë identifikuar 13 njehsorë elektrikë që ishin në përdorim pavarësisht se u kishte skaduar afati i verifikimit metrologjik. Për këtë shkelje, KEDS është ndëshkuar me 13 gjoba administrative, në vlerë totale prej 65 mijë eurosh.

MINTI bëri të ditur se aktivitetet e mbikëqyrjes do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të garantimit të matjes së saktë të konsumit të energjisë elektrike, mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve dhe zbatimit të legjislacionit në fuqi.

Sipas ministrisë, këto veprime janë pjesë e përpjekjeve për të forcuar mbikëqyrjen e tregut dhe për të siguruar respektimin e standardeve metrologjike në sektorin e energjisë elektrike.