Xherdan Shaqiri këtë vit ka luajtur në vetëm një ndeshje. Ai u aktivizua për
një minutë të vetëm më 11 janar në ndeshjen e Liverpoolit kundër Tottenhamit në
Premier League.
Që nga atëherë Shaqiri është zhdukur, shkruan gazeta “Blick”. Kanë kaluar dy muaj që nga ai aktivizimi në ndeshjen e zhvilluar në Londër. Siç ndodh shpesh me të, ai vazhdon të vuajë nga një lëndim muskulor.
Për shkak të lëndimit Shaqiri nuk mund ende të stërvitet me skuadër. Dhe kthimi i tij në fushë duket ende larg. Por, a është Evropiani 2020 në rrezik për Shaqirin?
“Kampionati Evropian është ende shumë larg. Çdo lojtar dëshiron të jetë në Evropiani. E çdo lojtar ka kohë dhe mundësi në javët e ardhshme për të siguruar një vend në skuadër”, ka thënë drejtori i përfaqësueses së Zvicrës, Pierluigi Tami.
Por, Shaqiri mund të ndryshojë fatin e vet nëse luan në klub, gjë që nuk po ndodh, pasi ende po ka probleme me lëndime.
Një enigmë e madhe rreth Shaqirit. Ndoshta, situata e krijuar rreth koronavirusit mund të shkojë në favor të tij. Nëse vërtetë Evropiani shtyhet për një vit, Shaqiri ka kohë për të ndryshuar situatën e tij.
Tami ndërkohë nuk është i shqetësuar se do të anulohet Evropiani.
“Nuk kam frikë. Por, unë shpresoj dhe uroj që situata për të gjithë të përmirësohet dhe atëherë edhe të mbahet Evropiani. Vendimi nëse do të mbahet apo jo, nuk është në kompetenca tona, por në kompetenca të autoriteteve dhe të UEFA-s”, ka deklaruar Tami.
Për Shaqirin kampanja për “Euro 2020” nuk ka shkuar aspak mirë. Në gjitha tetë ndeshjet eliminatore ai nuk ka luajtur fare. Gjashtë herë ishte i lënduar, ndërsa ndeshjet e shtatorit të vitit të kaluar kundër Irlandës (1:1) dhe Gjibraltarit (4:0), i humbi për shkak të një mosmarrëveshje me seleksionuesin e Zvicrës, Vladimir Petkoviq.
Në mes eliminatoreve për Evropian, ai luajti verën e kaluar në turneun final të Ligës së Kampionëve, ndërsa u lëndua në fund të stinorit të kaluar në një ndeshje kampionale në Angli. Ai mori lëndim në pulpë.
Shaqiri, që ka luajtur 82 ndeshje me Zvicrën e shënuar 22 gola, në Evropianin e kaluar, katër vjet më parë në Francë, kishte momente shumë më të mira. Ai realizoi një gol spektakolar në 1/8 e finales kundër Polonisë. Për shumë tifozë në Evropë ishte goli më i bukur i Evropianit të kaluar.