Mjekët druajnë për shtimin e rasteve me grip dhe koronavirus

Gjatë izolimeve dimrin e kaluar, popullsia britanike nuk u është ekspozuar shumë viruseve që zakonisht qarkullojnë. Por, tani do të rikthehen pas lirimit të masave dhe hapjes së vendit

Rritja e rasteve me grip dhe viruse të tjera respiratore mund ta shtojë presionin në shëndetin e njerëzve dhe NHS-në këtë vit, paralajmëron një raport nga mjekët kryesorë.

Ata kanë thënë se testimi për grip, COVID-19 apo ndonjë virus të zakonshëm te fëmijët dhe të rriturit – të quajtur RSV – mund t’u ndihmojë mjekëve që të reagojnë më shpejt.

Raporti i Akademisë së Shkencave Mjekësore kërkon nga njerëzit që nëse kanë çfarëdo simptome, të izolohen dhe të rrinë në shtëpi. Kjo do t’u ndihmojë që të mbrohen kundër të gjitha viruseve respiratore këtë dimër. Në raportin, që është bërë nga 29 ekspertë kryesorë dhe me kërkesë të qeverisë, thuhet se ekziston një pasiguri e madhe rreth asaj se çfarë do të ndodhë muajt e ardhshëm në tërë Mbretërinë e Bashkuar, por kërkon nga ligjbërësit që të përgatiten për një vit sfidues.

Rikthimi i viruseve të dimrit

Gjatë izolimeve dimrin e kaluar, popullsia britanike nuk u është ekspozuar shumë viruseve që zakonisht qarkullojnë. Por, tani do të rikthehen pas lirimit të masave dhe hapjes së vendit. Tashmë këtë verë, ka pasur rritje të viruseve të dimrit te fëmijët. Autorja e raportit, prof. Azra Ghani, nga Kolegji Imperial i Londrës, ka thënë se sipas tyre, do të shtohen rastet me COVID-19 gjatë verës, me raste të reja gjatë dimrit. “Por, “nuk mund ta përjashtojmë një tjetër valë gjatë dimrit”, ka thënë ajo. “Ndonëse presim që numri i vdekjeve të jetë më i ulët sesa dimrin e kaluar, nëse do të jetë skenari i ngjashëm, numri i të pranuarve në spital do të jetë në nivelin e njëjtë”. Skenari më i keq do të ishte nivel dy herë më i madh i rasteve me grip dhe viruse respiratore si në çdo vjeshtë dhe dimër, thuhet në raport. Gjatë dimrit 10,000 deri 30,000 njerëz vdesin nga gripi dhe rreth 20,000 fëmijë nën moshën 5-vjeçare shtrohen në spital çdo vit shkaku i viruseve respiratore, që mund të shkaktojnë infeksion në mushkëri të njohur si bronkit.

Testimi i trefishtë

Autorët kanë thënë se këto viruse zakonisht prodhojnë simptoma të ngjashme, kështu që testimi i trefishtë përnjëherë mund të ndihmojë që të dallohen. Ky testim mund të bëhet nëpërmjet testimit dhe vëzhgimit apo në ordinanca, por duhet të veprohet shpejt në mënyrë që antiviralët të përdoren për ta trajtuar gripin qysh në fillim.

Raporti rekomandon që njerëzit t’i marrin vaksinat kundër COVID-19, së bashku me ato kundër gripit, në mënyrë që të parandalohet shpërndarja e virusit.

Këshilla “rri në shtëpi”

Në raport thuhet se të gjithë të rriturit duhet të vaksinohen kundër COVID-19 deri në shtator. Aktualisht, dy e treta e të rriturve britanikë i kanë marrë dy dozat e vaksinës dhe 87 për qind e tyre, dozën e parë. Por, për ta shmangur bartjen e virusit, njerëzit duhet të testohen kur kanë simptoma dhe duhet të rrinë në shtëpi nëse janë të sëmurë ka thënë prof. Dame Anne Johnson, kryetare e Akademisë së Shkencave Mjekësore. Mjekët e vënë theksin, po ashtu, te rëndësia e bartjes së maskave, mbajtja e distancës sociale dhe takimeve në ambiente të hapura në mënyrë që të mbrohemi ndaj COVID-19 dhe nga viruset e tjera respiratore, përderisa bota po i kthehet normalitetit.