Mosndarja e shtesave prej 300 eurosh, infermierët paralajmërojnë protestë

Sindikata e Infermierëve të Kosovës, përmes një komunikate për media ka thënë se është e indinjuar dhe ndjehet e mashtruar me mos ekzekutimin e shtesave mbi pagë në vlerë prej 300€ për muajt korrik dhe gusht 2020 për punonëtorët shëndetësor në përgjithësi, me theks të veçantë për komunitetin infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor.

Në komunikatë thuhet së shumë infermierë janë infektuar me virus e në mesin e tyre kishte edhe të vdekur, vetëm që qytetari të ketë kujdesin cilësor maksimal.

“Deri sa vetëm nga komuniteti ynë janë mbi 1000 infermier të infektuar me COVID-19, pa llogaritur edhe komunitetet tjera, ndërsa nga ta kishte edhe të vdekur, e gjithë kjo sakrificë vetëm që qytetari të ketë kujdesin cilësor maksimal dhe të merituar, arsyetimet dhe tendencat për ndarje në shtesa për personelin shëndetësor i konsiderojmë absurde dhe të paarsyeshme”, thuhet në komunikatë.

Tutje në komunikatë thuhet se “Sindikata e Infermierëve të Kosovës, duke mos dashur t’a anashkalojë dialogun social, fton Ministrinë e Shëndetësisë, SHSKUK-në, Ministrinë e Financave dhe të gjitha institucionet tjera relevante që t’i thërrasin arsyes dhe të reflektojnë deri ditën e martë 01/09/2020 në ora 16:00”.

“Në rast se deri në atë kohë nuk do të ekzekutohen pagesat shtesë sipas listave dhe rekomandimeve që me kohë janë dërguar, ftojmë të gjitha komunitetet, në veçanti komunitetin infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor, anëtar të Sindikatës së Infermierëve të Kosovës që ditën e Mërkurë, 02/09/2020 nga ora 12:00 të mblidheni para zyrave të drejtorisë së SHSKUK-së në shenjë proteste.

Në kohën kur Kosova dhe populli ynë kishin nevojë për ne, ishim ne ata që i’u përgjigjëm thirrjes dhe përmbushëm obligimin tonë, andaj ju ftojmë që edhe ju t’i përmbushni obligimet tuaj ndaj shtyllës esenciale të sistemit shëndetësor”.

Ministria e Shëndetësisë, përmes një njoftimi publik ka bërë të ditur arsyet pse nuk kanë dalë shtesat prej 300 eurove për punonjësit e SHSKUK-së.

Në njoftim thuhet se, listat e ardhura në Ministrinë e Shëndetësisë nga SHSKUK kanë pasur mospërputhshmëri me kriteret e vendimet të Qeverisë dhe udhëzimet e saj.