Mustafa fton të injorohet propaganda ndaj LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar, pas fillimit të një fushate kundër partisë së tij në rrjetet sociale, në internet.

Ai në një postim në llogarinë e tij, në Facebook, tha se ata që po sulmojnë LDK-në janë “të rinj”, dhe se “kanë kohë të piqen”.

Mustafa u ka bërë thirrje që të injorohet propaganda.

“Besoj e keni vërejtur që nëpër media, e sidomos në rrjetet sociale, po zhvillohet një fushatë e orkestruar kundër LDK-së dhe strukturave të saj drejtuese. Jezu Krishti do të thoshte: Fali o Zot. Nuk janë të vetëdijshëm për veprimet e tyre. E Ibrahim Rugova sigurisht do të shtonte: Mos të merremi me ta. Të rinj janë. Kanë kohë të piqen”.

Për shkak tw situatës me pandeminë, Mustafa, ka kërkuar të injorohet kjo propagandë, që përveç se përhapë të pavërteta, tenton të krijoj përçarje.

“Vendimet e LDK-së, si gjithmonë, janë në të mirë të LDK-së, dinjitetit të saj, në të mirë të Kosovës dhe në funksion të ruajtjes së raporteve të Kosovës me partnerët tanë amerikanë dhe me vendet e BE-së. Duke mos dashur të ngarkojmë qytetarët e Kosovës në këtë kohë kur të gjithë po ballafaqohemi me armikun e shëndetit dhe jetës sonë, ne nuk po ua kthejmë me të njëjtën formë sulmet që po na bëhen si LDK”, thekson Mustafa.

Ai thekson, se LDK-ja, do ta ruaj nivelin e komunikimit korekt me qytetarët dhe me oponentët politik.

“Jo sepse nuk jemi më të zotët se ata që na sulmojnë. Por, sepse jemi të bindur se kështu i kontribuojmë unitetit të kombit dhe qytetarisë që përpiqemi ta kultivojmë. Kërkoj nga bashkëpunëtorët e mi në LDK që në paraqitjet e tyre publike, në media apo përmes rrjeteve sociale, ta ruajnë gjakftohtësinë dhe t’i kontribuojnë menaxhimit sa më të mirë të gjendjes në të cilën ndodhemi”.

“Nga të gjithë përfaqësuesit e LDK-së në institucionet qendrore dhe lokale, pavarësisht vështirësive me të cilat ballafaqohen, kërkoj të jenë në krye të detyrës dhe t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve, pavarësisht çdo lloj përkatësie që mund t’i takojnë”.