Naim Gashi rizgjidhet Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Akreditimit

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme e ka rizgjedhur Naim Gashin, për një mandat të dytë katërvjeçar në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA).

Vendimi i Qeverisë erdhi me propozimin e ministres së MASHTI-t, Arbëria Nagavci, e cila kishte vlerësuar me performacë pozitive Gashin, në mandatin e tij të parë.

Gashi ka drejtuar Agjencinë e Akreditimit në tri vitet e kaluar dhe ky institucion ishte vlerësuar pozitivisht në tri raportet e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën.

Gjatë mandatit të parë, Gashi ka plotësuar rekomandimet e Asociacionit Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA). Si rezultat i kësaj Agjencia e Akreditimit nga 3 shtator 2022 është anëtare e asociuar e ENQA-së.

Krahas Agjencisë së Akreditimit, Gashi është edhe Kryetar i Komisionit Shtetëror për pozita të larta drejtuese në kuadër të Qeverisë së Kosovës, si pozita më e lartë në Shërbimin Civil të Kosovës.