Ndërron jetë pas atakut kardiak futbollisti i ri Erion Kajtazi

Federata e Futbollit e Kosovës me pikëllim të madh e njofton opinionin se sot pas një sulmi kardiak ka ndërruar jetë futbollisti i FC Trepça ’89 dhe njëherësh anëtari i ekipeve kombëtare të Kosovës, Erion Kajtazi.
Talenti i madh i futbollit kosovar ka qenë duke luajtur në ndeshjen A&N – Trepça’89, në kuadër të Superligës në kategorinë e juniorëve, kur në një moment ka rënë pa vetëdije në fushë. Stafet mjekësore të të dyja klubeve kanë intervenuar me shpejtësi për t’i ofruar ndihmë dhe më pas me urgjencë e kanë dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren. Megjithatë, përkundër përpjekjeve maksimale të mjekëve, Erioni nuk ka dhënë shenja jete dhe është konstatuar vdekja e tij nga ataku kardiak.
Federata e Futbollit e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Kajtazi, FC “Trepça’89” dhe tërë komunitetit të futbollit për vdekjen e parakohshme të Erionit.