Në Rahovec sekuestrohen mbi 4,600 litra vaj, u mungonte dokumentacion i origjinës

Drejtoria e Inspektoratit në komunën e Rahovecit ka sekuestruar të premten 4,676 litra të vajit, në mungesë të dokumentacionit të origjinës.

Sipas njoftimit, këto veprime të tregtarëve përbëjnë mashtrim të konsumatorit.

“Drejtoria e Inspektoratit, Inspektorati i Tregut, po inspekton intensivisht operatorët ekonomikë për ngritjen e menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale, siç janë vaj ushqimor, mielli, sheqeri e të tjera. Këto veprime të tregtarëve përbëjnë mashtrim të konsumatorit, praktikë të padrejtë tregtare dhe konkurrencë të padrejtë, andaj Inspektorati i Tregut po merr masa ndëshkuese dhe çdo veprim tjetër të përcaktuar me ligj. Gjatë këtyre dy ditëve po kryejmë inspektime intensive dhe inspektorët e tregut kanë konstatuar parregullësi, poashtu kanë marrë masa në përputhje me ligjin: gjoba si dhe masa të tjera administrative. Në një rast inspektorët komunal të tregut gjatë inspektimit të një operatori ekonomik, kanë sekuestruar 4676 litra të vajit, në mungesë të dokumentacionit të origjinës”, thuhet në njoftim.

Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka hetuar të enjten mbrëma dy supermarkete për shkak të rritjes së çmimit të vajit, duke mbyllur kështu dy depo të tyre.