Nënshkruhet kontrata për instalimin e nënstacioneve të reja ngrohëse


Kryeshefi Ekzekutiv i Termokos-it, Arsim Fetahu me Nickolai Zhechkov, drejtor i kompanisë “BRUNATA”, në praninë e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe nënkryetarit, Alban Zogaj, kanë nënshkruar sot kontratën për instalimin e nënstacioneve të ngrohjes, rezervuarit të nxehtësisë dhe sistemit SCADA.
Kryeshefi Ekzekutiv, Arsim Fetahu është shprehur optimist se punët nga kompania punëkryese do të fillojnë së shpejti në terren dhe konsumatorët, tek të cilët tanimë ka arritur rrjeti i ngrohjes do të kenë mundësinë, që të përfitojnë shërbimet e ngrohjes.
Ndërkaq, kryetari Rama ka shprehur kënaqësinë e tij për nënshkrimin e kësaj kontrate, optimist se punët për realizimin e këtij projekti do të ecin për së mbari.
Nënshkrimi i kësaj kontrate është në kuadër të projektit “Përmirësimi i ngrohjes qendrore në Prishtinë”, i cili realizohet në saje të mbështetjes së Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW).


Në bazë të kontratës, konzorciumi i kompanive “ERGOTERM & BRUNATA” nga Greqia dhe Bullgaria, i përzgjedhur nga KfW do të bëjë instalimin e 320 nënstacioneve të reja, plotësisht të automatizuara në lagjen “Mati 1”, tek Parku i qytetit, “Arbëria”, “Ulpiana”, “Dardania”, “Bregu i diellit” dhe “Qendër” si dhe do të rehabilitohen 235 nënstacione ekzistuese. Planifikohet ndërtimi i një rezevuari të nxehtësisë me kapacitet 800m³, i cili do të shërbejë për akumulimin e energjisë termike, instalimi i disa pompave, rehabilitimi i sistemit për mbajtje të shtypjes në rrjetin primar si dhe sistemin e kontrollit nga distanca SCADA.
Projekti për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes është duke u realizuar në saje të një donacioni në vlerë të 10 milion eurove nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW).