Nesër do të udhëtonte me kolegët për në Shqipëri: Detaje të reja nga vrasja e mësueses së gjeografisë

Të shtunën e 26 nëntorit, Sadije Godeni kishte planifikuar që të nisej për një shëtitje për në Pogradec me kolegët e saj të shkollës ‘Dardania’ të Prishtinës, aty ku ajo punonte prej 28 viteve si mësuese e gjeografisë. Por, shëtitjen, 63-vjeçarja e pati të pamundur me kolegët.

Fatin, zonja Sadije e pati të tmerrshëm. Ajo u gjet e vrarë me sëpatë mëngjesin e së premtes në shtëpinë ku ajo jetonte e vetme me bashkëshortin në rrugën ‘Mark Isaku’ të kryeqytetit. E i dyshuari për këtë rast është burri i saj 70-vjeç, Izet Godeni. Nacionale ju sjellë detajet për këtë rast.

Kishte 28 vite që jepte mësim në shkollën fillore ‘Dardania’ të Prishtinës. Arsimtarja e gjeografisë Sadije Godeni, asnjëherë nuk kishte munguar në procesin mësimor.

Mungesa e saj e vetme kishte qenë të premten. Por kjo mungesë nuk ishte bërë me dëshirën e saj.

Mësuesja e gjeografisë 63-vjecarja Sadije Godeni, u gjet e vrarë mizorisht në shtëpinë ku jetonte e vetme me burrin e saj 70-vjeçcar. E i dyshuari për vrasjen e mësueses, është pikërisht burri i saj Izeti. (Ky i fundit mbrëmë është vet dorëzuar në polici).

Si e kuptuan në shkollë për vrasjen e koleges?

Në orën tetë të mëngjesit mësuesja e gjeografisë Sadije Godeni ishte dashur që ta niste mësimin me nxënësit e shkollës fillore ‘Dardania’ të kryeqytetit.

Mungesa e saj në dy orët e para të procesit mësimor, kishte shtyrë drejtorin Isak Bregaj që të interesohej për vendndodhjen e mësueses, pa ditur se me të kishte ndodhur një ngjarje fatale.

“Kam kontaktua në telefon. Nuk më është lajmëru. Sikur edhe juve e kemi pa në media. Kem thirrë ne spital, më kanë dhanë pak detaje por jo shumë. Ajo ka qenë arsimtare në shkollën tone, e Gjeografisë, e klasave të gjashta dhe të shtata. Ka punua maksimalisht me nxënës, nuk kemi pasur asnjë vërejtje me të e për të. Ajo dje ishte në zyrë tek ne. Kërkonte informacione për vendosjen e notave. Dje nuk më ka dhënë asnjë shenjë që ka qenë e shqetësuar”, tha për Nacionalen drejtori i shkollës ‘Dardania”, ku jepte mësim e ndjera.

E si mësuese të përkushtuar ndaj profesionit e kujtojnë edhe ish-nxënësit e saj.

“Arsimtare më të mirë nuk ka pasur shkolla e Dardanisë. Ka qenë një arsimtare e mrekulllueshme. Ka qenë arsimtare e djalit tim. Ka qenë shumë e urtë, e mirë e sjellshme. Për ata erdha deri këtu, për me shprehë ngushëllime”, ka thënë për Nacionalen Besim Muqiqi ish-nxënës i mësueses tashmë të ndjerë Sadije Godenit.

Çka dihet deri më tani për rastin?

Të premten në mëngjes të gjithë u tronditën nga një ngjarje e rëndë që ndodhi në Prishtinë. Bëhet fjalë për vrasjen e mësueses së Gjeografisë, Sadije Godenit 63-vjeçe nga burri i saj.

Sipas Prokurorisë, ngjarja makabre ndodhi diku në orët e para të mëngjesit të së premtes.

“Sot, rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra, është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në Rr. “Mark Isaku” në Prishtinë”, kanë thënë nga Prokuroria në njoftimin e saj.

Megjithatë, ende nuk dihet motivi i kësaj vrasje sipas Prokurorisë së shtetit.

“Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti” thonë tutje ata.

Por, trupi i viktimës është dërguar për obduksion, gjersa burri i saj është arrestuar.

“Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit të shtetit, është intervistuar dhe i njëjti është dërguar në qendrën e ndalimit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës, femër 63 vjeç, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, i tha Nacionales Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës.

E fqinjët e tashmë së ndjerës i thanë Nacionales se nuk kanë dëgjuar se çifti kanë pasur probleme me njëri-tjetrin.

Njëri prej finjëve tha Nacionalës se çifti ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Sipas tij, djali i tyre gjendet në Zvicër, ndonëse shton se akoma nuk ka ardhur.

“Nuk kemi dëgjua asnjëherë që të kenë probleme. I kanë dy fëmijë. Djalë e çikë. Djalin e ka në Zvicër. Ai në Zvicër është. Ende nuk ka ardhë”, ka thënë ai.